Home columns1

Edhe 48 orë mbajtje për imamët: Krasniqi dyshohet se ka shpëlarë qindra-mijëra euro! (Foto)


Është shtyre vendimi për imamët të cilët akuzohen për veprime kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Ata do të jenë në mbajtje edhe për 48 orë të tjera, deri në marrjen e vendimit nëse do t’u caktohet masa e paraburgimit ose jo, kërkesë kjo e bërë nga prokurori Haki Gecaj.
Avokati i imamit Enis Rama, Mahmut Halimi, tha se nuk është asnjë fakt që klientit të tij t’i caktohet masa e paraburgimit, ndaj shpreson që gjyqtari nuk do ta aprovojë kërkesën e kryeprokurorit.

Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, dyshohet se ka shpëlarë qindra-mijëra euro. Ai, sipas fletarrestimit, të cilin e ka parë KTV-ja, thuhet të ketë pranuar fonde nga organizata të ndryshme, në mesin e tyre edhe atë al-Haramain, organizatë e lidhur me al-Qaedan.

Një pjesë e madhe e fondeve që ka pranuar Krasniqi kanë përfunduar në llogarinë e NTP “Portat”, biznes i regjistruar në emër të imamit Krasniqi. E pika tjetër për çka dyshohet Krasniqi është edhe nxitja e urrejtjes, më saktë, nxitjes së të rinjve për t’iu bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, derisa avokati i tij, Bajram Tmava, mohon veprat për çka dyshohet klienti i tij.
KTV-ja gjithashtu ka marrë vesh se këto ditë është intervistuar në zyrat e tij edhe kreu i BIK-ut, Naim Tërnava, derisa me Policinë e Kosovës janë duke bashkëpunuar ngushtë edhe familjarët e personave që kanë ose i kishin të afërmit në Siri.
Në anën tjetër, Kryesia e Bashkësisë Islame pas një mbledhje ka lëshuar një komunikatë për media ku thuhet se "Bashkësia Islame e Kosovës punën dhe aktivitetin e vetë e bazon në parimet hyjnore islame”, andaj ata besojnë se edhe “ligjërimet e imamëve në xhamitë tona janë zhvilluar në këtë frymë”.
“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, beson në pafajësinë e tyre përderisa organet e drejtësisë nuk e dëshmojnë të kundërtën”, thuhet në kumtesën e tyre.
“E ripërsërisim nuk prejudikojmë fajësinë, po në të njëjtët kohë jemi kundër fushatës që demonizon institucionin e imamit dhe xhamive pa fol drejtësia. Andaj edhe njëherë apelojmë që të presim të japin verdiktin organeve të drejtësisë. Ftojmë dhe apelojmë tek të gjithë qytetarët, e posaçërisht besimtarët tanë, që me qetësi e maturi të presin vendimin e organeve të drejtësisë, larg çdo politizimi e polarizimi, tendence e keqkuptimi”.

BIK deklaron se kontributi më i mirë për vendin, shtetin dhe fenë tonë, në këtë situatë të krijuar, është qetësia dhe besimi në institucionet e vendit.
“Populli ynë është shquar për urtësi, mirëkuptim, maturi e pjekuri, respekt dhe përkrahje për tjetrin, virtyte e vlera këto që duhet të reflektojnë dhe të na shoqërojnë edhe në këto momente. Zoti e do paqen dhe njerëzit që e kultivojnë dhe angazhohen për të”! /Lajme24.ORG


SHARE ON:

    Blogger Comment

0 comments:

Post a Comment

loading...